NOW LOADING
Text Size
  • A
  • A
  • A
Color
  • C
  • C
  • C
  • C

Rreth Projektit

Projekti “Forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për zbatimin e të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar në Shqipëri” zbatohet nga World Vision Shqipëri (WV) si organizata drejtuese në këtë projekt në bashkëpunim me “Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara” (ADRF) dhe me organizatën Mbrojtja e të Drejtave të Personave me Aftësi të kufizuara (MEDPAK), me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian (BE).

Pse lindi nevoja për këtë projekt?

Bazuar në të dhënat e Censusit të vitit 2011, në Shqipëri, 6, 2% e popullsisë mbi moshën 15 vjeç paraqet një aftësi të kufizuar, ndërkohë që sipas statistikave zyrtare të Ministrisë Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, personat me aftësi të kufizuara të vlerësuar si të tillë nga KMCAP dhe që janë përfitues të pagesave për shkak të aftësisë së kufizuar, përbëjnë 4.9% të popullsisë në vend (nr. 141,721, prej të cilëve 68,270 janë pjesë e skemës së Sigurimeve Shoqërore dhe 73.451 janë përfitues nga skema e Shërbimit Social Shtetëror).

Ndërkohë, sipas studimit të prevalencës së aftësisë së kufizuar te fëmijët në Shqipëri të moshës 2-17 vjec, ndërmarrë nga World Vision Shqipëri në partneritet me Save the Children, 2017, rezulton se prevalenca e fëmijëve me aftësi të kufizuar në Shqipëri është 10.4%. Nga ky studim rezulton se zonat me prevalencën më të lartë, janë qytetet e Lezhës, Beratit, Korçës dhe Dibrës, zona të cilat u përzgjodhën të mbështeten nga ky projekt.

Ky projekt synon të mbështesë përpjekjet e avokimit në monitorimin e politikave publike që lidhen me përfshirjen/zbatimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe ngritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile (OShC-të) lokale dhe organizatat e personave me aftësi të kufizuara (OPAK).

Nëpërmjet ndërhyrjeve që janë planifikuar të kryhen gjatë periudhës 3-vjeçare të zbatimit të projektit parashikohet që të arrihen këto rezultate:

  1. Forcimi i kapaciteteve të OShC-ve aktive në fushën e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara (përfshirë organizatat e personave më aftësi të kufizuar, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre) për të avokuar/lobuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar dhe pjesëmarrjen e tyre në monitorimin e politikave publike;

  1. Ngritja e një mekanizëm për monitorimin e zbatimit të Planit Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuar (2016-2020) në nivel lokal dhe kombëtar për t’u përdorur në mënyrë efektive nga OSHC-të.

  1. Fuqizimi i rrjeteve lokale të OSHC-ve në mënyrë aktive në dialog me qeverinë lokale dhe qendrore për të kontribuar në zbatimin e Planit Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuar (2016-2020).