NOW LOADING
Text Size
  • A
  • A
  • A
Color
  • C
  • C
  • C
  • C

Ligji për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë

Qëllimi kryesor i ligjit, sikurse shprehet dhe neni 1 i tij është të garantojë nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe nga ana tjetër të përcaktojë përgjegjësinë e të gjitha strukturave publike dhe jopublike, përfshirë organet shtetërore, qendrore dhe vendore, në zbatimin e parimeve të përfshirjes dhe aksesueshmërisë për të zvogëluar, deri në heqje, pengesat për personat me aftësi të kufizuara. Duke u nisur edhe nga vetë emërtimi i ligjit, aksesueshmëria luan një rol qendror në këtë ligj për përfshirjen dhe garantimin e të drejtave, sikurse rezulton edhe në qëllimin e ligjit: ‘…në zbatimin e parimeve të përfshirjes dhe aksesueshmërisë për të zvogëluar, deri në heqje, pengesat për personat me aftësi të kufizuara…’.

Ligji për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë

Ligji është përpjekur, për aq sa është e mundur të përkufizojë termin ‘aksesueshmëri’, një term të cilin KDPAK vetë nuk e ka përkufizuar për arsye të kompleksitetit dhe dinamikës gjithmonë në
zhvillim që ai paraqet.
‘Aksesueshmëri’ sipas ligjit është mënjanimi i pengesave të të gjitha llojeve.
‘Pengesat’ nënkuptojnë:
a) pengesat sociale, veçanërisht qëndrimet, stereotipet e sjelljen tutelore;
b) pengesat mjedisore, përfshirë vështirësitë në komunikim që kanë personat me dëmtime ndijore, veçanërisht ata me dëmtime në shikim dhe dëgjim, ata për të cilët komunikimi verbal është i kufizuar ose i pamundur e personat që kërkojnë formate të thjeshta për t’u lexuar dhe për t’u kuptuar;

Ligji për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë

c) pengesat infrastrukturore, përfshirë ato në banesa, hapësira dhe shërbime publike;
ç) pengesat institucionale, përfshirë ato në legjislacion dhe politika.
Ky ligj është miratuar në përputhje me standardet e KDPAK dhe në nenin 20 përcakton që ka përparësi mbi legjislacionin ekzistues, duke qënë se edhe vetë përcakton, që ‘institucionet ndërmarrin ndryshimet graduale në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për të përshtatur formulimin, termat, synimin dhe qëllimin me modelin dhe imazhin bashkëkohor të dëmtimit dhe aftësisë së kufizuar, veçanërisht me autonominë dhe të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për jetesë të pavarur dhe me përfshirjen e tyre në të gjitha sferat e jetës, në kushte të barabarta me të tjerët’.

Ligji për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë

Çfarë risish sjell

  1. Ligji përcakton që të gjitha institucionet, publike apo private kanë detyrimin për të siguruar aksesueshmëri për të gjitha llojet e aftësive të kufizuara aksesin në këto fusha: strehim, transport, shëndetësi, kujdes social, arsimim, punësim dhe shërbime e mundësi të tjera, si dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në të gjitha sferat e jetës, përfshirë jetën familjare, komunitare dhe qytetare. Për detyrat dhe përgjegjësitë e detajuara të këtyre institucioneve ligji kërkon miratimin e një vendimi, vendim ky i miratuar nga Këshilli i Ministrave Nr. 1074, datë 23.12.2015 ‘Për përcaktimin e masave për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara’. Më shumë informacion për vendimin gjendet më poshtë.
  2. Ligji ngre pika fokale (pika kontakti për aftësinë e kufizuar) në të gjitha bashkitë. Kjo do të thotë që një ose disa persona përgjegjës në çdo bashki janë të trajnuar për çështjet e personave me aftësi të kufizuara dhe kanë për detyrë të monitorojnë që politikat e programet hartohen dhe zbatohen në përputhje me standardet. Këta persona sigurojnë që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të zbatohen nga të gjitha institucionet në territorin e bashkisë.

Ligji për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë

3. Ligji gjithashtu vendos mbi çdo ministri detyrimin për të caktuar një person që merret me çështjet e aftësisë së kufizuar. Edhe këta persona duhet të jenë të trajnuar posaçërisht për çështjet e personave me aftësi të kufizuara dhe duhet të sigurohen që politikat, ligjet, vendimet apo praktikat e ministrisë ku ata punojnë janë në përputhje me standardet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare;
4. Ligji parashikon rregullime të posaçme për mundësimin e jetesës së pavarur për personat me aftësi të kufizuara që të marrin vetë vendimet për jetën e tyre nëpërmjet ofrimit të mbështetjes dhe të ndihmës, bazuar në zgjedhjet e vetë individit për nevojat e jetës së përditshme. Për të kapërcyer pengesat që bëjnë të pamundur jetesën e pavarur ligji parashikon disa shërbime: asistencë personale, pajisjet e mjetet teknike mbështetëse, shërbimet e aksesueshmërisë, përfshirë transportin, përshtatja e arsyeshme dhe atëherë kur është e nevojshme, vendim-marrjen e mbështetur.

Ligji për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë

5. Ligji siguron ngritjen e komisioneve të reja, të cilat përdorin mënyrat më të fundit të vlerësimit të personave, sipas nevojave dhe shkallës së rëndesës së aftësisë së kufizuar, për të gjitha llojet e aftësive të kufizuara. Komisionet bëjnë vlerësimin e gjendjes së aftësisë së kufizuar, nevojave për shërbime, mjete dhe përkujdesje, me synimin për të minimizuar pengesat e përfshirjes dhe për të rritur në maksimum autonominë dhe jetesën e pavarur për personat me aftësi të kufizuara.
6. Ligji përcakton që të gjitha institucionet kanë përgjegjësinë për të mbledhur statistika për personat me aftësi të kufizuara dhe mënyrat se si duhet t’i raportojnë këto të dhëna.
7. Ligji siguron ndihmës personal të trajnuar, i cili mund të jetë në cilësinë e ndihmësit për kujdesin personal për personat me aftësi të kufizuara, shoqëruesit për personat e verbër, interpretuesit të gjuhës së shenjave dhe lehtësuesit në komunikim për personat me aftësi të kufizuar në të folur. Personat me aftësi të kufizuara përfitojnë formim për të mësuar se si t’i udhëzojnë ndihmësit personalë.

Ligji për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë

8. Ligji parashikon sigurimin e mjeteve ndihmëse personave me aftësi të kufizuara, që kanë nevojë për pajisje të tilla, për të kapërcyer pengesat, sipas vlerësimit të nevojës së bërë nga komisionet. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor siguron mjetet dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë koordinon me të.
9. Ligji siguron përfshirjen e organizatave jofitimprurëse me të drejtë për t’u konsultuar dhe personat me aftësi të kufizuara të marrin pjesë në procesin e konsultimit publik, për çështjet e aftësisë së kufizuar, sipas përcaktimeve në legjislacionin për njoftimin dhe konsultimin publik.
10. Ligji ngre Këshillin Kombëtar për Aftësinë e kufizuar, i cili është organ që këshillon Qeverinë për përcaktimin e drejtimit të politikave shtetërore për të garantuar aksesueshmërinë dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat.

Ligji për Përfshirjen dhe Aksesueshmërinë

Kush e monitoron zbatimin e këtij ligji?
1. Avokati i Popullit
2. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Kush e financon këtë ligj?
Të gjitha shpenzimet që lidhen me sigurimin e aksesueshmërisë dhe shërbimeve që ngrihen nga ky ligj mbulohen nga Buxheti i Shtetit. Ligji parashikon gjithashtu që institucionet shtetërore, qendrore dhe vendore, marrin gradualisht masat për sigurimin e fondeve të nevojshme për mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore në ofrimin e shërbimeve publike. Kjo do të thotë që mënjanimi i pengesave nuk mund të ndodhë njëherësh, por do të realizohet gjatë një periudhe të caktuar kohore në mënyrë graduale.

Duke qenë se ky mbetet një ligj i përgjithshëm, ai delegon në aktet nënligjore çështje shumë të rëndësishme. Në lidhje me aksesueshmërinë, përveç detyrimeve dhe përgjegjësive që kanë të gjitha institucionet për sigurimin e saj në mënyrë progresive, ligji në nenin 11 parashikon në pikën 3, që masat për mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore në ofrimin e shërbimeve publike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.