NOW LOADING
Text Size
  • A
  • A
  • A
Color
  • C
  • C
  • C
  • C

Rreth FSHDPAK

“Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara” (FSHDPAK) është një organizatë shqiptare jofitimprurëse, themeluar nga OXFAM GB në vitin 1994.

Që nga krijimi i tij, FSHDPAK ka funksionuar si qendër koordinimi për ndërmarrjen e nismave më madhore në ndikim të përmirësimit të cilësisë së jetës për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Misioni

Promovim i shanseve të barabarta dhe mbrojtja e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara me synim përmirësimin e cilësisë së jetës për ta dhe për familjet e tyre.

FShDPAK për të përmbushur misionin e tij punon së bashku me persona dhe pa aftësi te kufizuara. Mbështetja e vazhdueshme që kemi nga organizata, donatorë, institucione shtetërore, na ndihmon të përmirësojmë punën tonë, të jemi sa më pranë nevojave të personave me aftësi të kufizuara dhe komuniteteve për të cilat ne punojmë.

Programet e FSHDPAK, synojnë të rrisin shanset e personave me aftësi të kufizuara për t’u integruar në jetën sociale dhe ekonomike të vendit, përmes respektimit dhe mbrojtjes të së drejtave të tyre.

Çfarë ofrojmë:

ADVOKACI – FShDPAK incion nisma për ndryshime në politika, ligje e shërbime që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë të jetës dhe pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuar në shoqëri. Me synim fuqizimin e procesit të vetë-avokatisë, ne mobilizojmë organizatat dhe individët në nivel qendror dhe lokal.

MONITORIM – FShDPAK përgatit dhe publikon në mënyrë periodike raporte monitorimi të dokumenteve politikë dhe ligjorë në fushën e aftësisë së kufizuar në Shqipëri. FShDPAK është përfshirë në monitorimin në vazhdimësi të zbatimit të Konventës të OKB për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KDPAK).

INFORMACION/ASISTENCË TEKNIKE – Ne ofrojmë informacion, orientim, këshillim, asistencë teknike për persona me aftësi të kufizuara dhe familjarë të tyre, organizata të njerëzve me aftësi të kufizuara, ofrues të shërbimeve. Ne i ndihmojmë ato të fuqizohen dhe të realizojnë më mirë misionin e tyre.

PUBLIKIME – FSHDPAK përgatit dhe publikon një gamë të gjerë botimesh për çështje të aftësisë së kufizuar. Pranë zyrave tona, do të gjeni një listë prej rreth 200 botimesh.

TRAJNIME – FSHDPAK ka një grup trajnerësh të specializuar dhe ofron trajnime në vazhdimësi bazuar në një paketë modulesh për çështje të aftësisë së kufizuar. Trajnimet zhvillohen për persona me aftësi të kufizuara e familjarët e tyre, përfaqësues të institucioneve në nivel qendror e lokal, përfaqësues të medias, ofrues të shërbimeve etj.

MBËSHTETJE DHE ORIENTIM LIGJOR – Avokatët e FShDPAK ofrojnë ndihmë ligjore falas për çdo individ me aftësi të kufizuara dhe për familjarët e tyre nëpërmjet informimit dhe orientimit ligjor të çështjeve në rrugë administrative. FShDPAK i kushton rëndësi të veçantë edhe mbrojtjes avokatore në Gjykatë për të gjitha ato raste specifike dhe strategjike që synojnë vendosjen e praktikave të mira ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

SHËRBIMI I OFRIMIT TË KARRIGEVE ME RROTA – FSHDPAK që prej vitit 1996 menaxhon fabrikën Mirësia, në të cilën përgatiten karrige me rrota për personat me aftësi të kufizuara dhe ofrohen shërbime mbështetëse për këtë mjet, duke plotësuar nevoja në të gjithë vendin, për të gjitha grupmoshat dhe kategoritë e personave me aftësi të kufizuara. Shërbimi i ofrimit të karrigeve me rrota ka në themel të tij procesin e vlerësimit të nevojave specifike, si fizike ashtu edhe shëndetësore, të individëve të cilët pajisen me këtë mjet. Vlerësimi i realizuar sipas standardeve të OBSh u mundëson specialistëve të FShDPAK të përshtatin karrigen me rrota në përputhje me specifikat e individëve me aftësi të kufizuara. Stafi i programit është trajnuar në vazhdimësi nga ekspertë ndërkombëtar për ofrimin e shërbimit të karrigeve me rrota në përputhje me standardet e OBSh për këtë shërbim. Ata i trajnojnë personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre për aftësitë bazë të përdorimit të karriges me rrota si dhe për mirëmbajtjen e saj. Këtë shërbim FShDPAK e ofron në bashkëpunim të ngushtë me strukturat shtetërore, përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për grupet në nevojë.

PUNËSIMI I PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA – FShDPAK promovon përfshirjen sociale dhe në tregun e punës të personave me aftësi të kufizuara. Programi ofron shërbime punësimi për personat me aftësi të kufizuara që kërkojnë punë; ndihmon në krijimin e besimit dhe aftësive të tyre, i udhëzon ata drejt AFP, orienton dhe ndërmjetëson punësimin apo vetëpunësimin e tyre. FShDPAK rrit ndërgjegjësimin dhe krijon partneritete midis palëve të interesuara mbi çështjet të rëndësishme për integrimin social dhe në tregun e punës të personave me aftësi të kufizuara dhe lehtëson shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira midis pushtetit lokal, institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe punëdhënësve.

KOALICIONI “AFTËSIA E KUFIZUAR DHE ZHVILLIMI” – Për të nxitur gjithëpërfshirje të problematikës së aftësisë së kufizuar por edhe për të fuqizuar zërin e rritur presionin në drejtim të përmirësimeve politike e ligjore për personat me aftësi të kufizuara, FSHDPAK ka iniciuar krijimin e Koalicionit Shqiptar për Aftësinë e Kufizuar dhe Zhvillimin. Në të bëjnë pjesë OJF të aftësisë së kufizuar, OJF të të drejtave të njeriut, donatorë, përfaqësues të komunitetit të biznesit.

FSHDPAK kontakte:

Adresa: Rr. “Bogdani”, pall. 15 kat i III Tiranë, Shqipëri

Tel: +355 4 269 426

Email: adrf@albmail.com

www.adrf.al