NOW LOADING
Text Size
  • A
  • A
  • A
Color
  • C
  • C
  • C
  • C

Komenti i Përgjithshëm i Komitetit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara

Komenti i përgjithshëm u miratua më 22 Maj 2014. Komiteti e ka trajtuar aksesueshmërinë si një faktor themelor në zbatimin e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Nisur nga kjo, Komiteti ka hartuar komentin e përgjithshëm, i cili sqaron në mënyrë më të detajuar se çfarë përfshin aksesueshmëria dhe si duhet konsideruar ajo në fusha të ndryshme. Komiteti thekson që aksesueshmëria mund të garantohet vetëm përmes zbatimit të standardeve strikte. Komiteti përfshin në koment edhe konceptin e projektimin universal i përkufizuar si projektim i mallrave, mjedisit, programeve dhe shërbimeve për t’i bërë të përdorshme për të gjithë njerëzit, në masën më të madhe të mundshme, pa pasur nevojë për përshtatje apo projektim të veçantë. Projektimi universal nuk duhet të përjashtojë pajisjet ndihmese për grupe të veçanta të personave me aftësi të kufizuara, kur është e nevojshme.

Komenti i Përgjithshëm i Komitetit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara

Komenti më tej sikurse edhe vetë KDPAK sqaron se nuk mjafton aplikimi i projektimit universal si masë e vetme pasi nuk siguron në të gjitha rastet aksesesueshmërinë. Janë thelbësore edhe ndërhyrjet e posaçme për personat me aftësi të kufizuara, pajisjet e caktuara si karriget me rrota, patericat, mjetet dëgjimore, formate të tjera të posaçme për lloje të caktuara aftësish të kufizuara. Por në të gjitha rastet është thelbësore që shërbimet apo produktet të dizenjohen duke u bazuar mbi këtë koncept. Kjo eliminon nevojat e mëvonshme që lindin për t’i përshtatur ato për personat me aftësi të kufizuara, të cilat janë më të kushtueshme. Pra, projektimi universal për garantimin e aksesueshmërisë ka edhe faktorin ekonomik si avantazh, pasi është më pak i kushtueshëm dhe përfiton një grup të madh ‘klientësh’, të cilët nuk janë vetëm personat me aftësi të kufizuara, pra, i vlejnë të gjithë komunitetit. Komiteti riliston fushat në të cilat zbatohet dhe garantohet aksesueshmëria dhe gjithashtu ripërcakton të gjitha llojet e aftësisë së kufizuar në raport me të cilat duhet të sigurohet aksesueshmëria.

Komenti i Përgjithshëm i Komitetit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara

Duke qenë se aksesueshmëria përbën parakusht që personat me aftësi të kufizuara të jetojnë në mënyrë të pavarur dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në shoqëri, mohimi i aksesit në mjedis, transport, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, në shërbimet e hapura për publikun duhet të shihet gjithmonë si diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar, sipas këtij komenti. Duhet bërë një dallim i qartë midis detyrimit për të siguruar që të gjitha objektet, infrastruktura, mallrat, produktet dhe shërbimet e projektuara, ndërtuara ose prodhuara rishtazi të jenë të aksesueshme dhe detyrimit për të hequr barrierat në ato ekzistuese dhe për të siguruar një mjedis, transport, informacion dhe komunikimi dhe shërbimet e hapura për publikun e gjerë. Ky dallim theksohet në koment, pikërisht duke pasur parasysh faktin që ndërkohë që projektimi universal, pra garantimi i aksesueshmërisë në produktet e shërbimet e reja do të realizohet në mënyrë graduale, shtetet që ratifikojnë Konventën duhet të marrin masa për heqjen e pengesave ekzistues, duke vendosur afate kohore dhe duke përcaktuar buxhetet e nevojshme.