NOW LOADING
Text Size
  • A
  • A
  • A
Color
  • C
  • C
  • C
  • C

Të dhëna të përgjithshme

Aftësia e kufizuar është një term ombrellë që përfshin dëmtimet, kufizimet e aktivitetete dhe pjesëmarrjes. Dëmtimet janë probleme ose kufizime në funksionin ose strukturën e trupit. Kufizimet në kryerjen e aktiviteteve janë vështirësitë me të cilat përballet një person në kryerjen e një detyre ose veprimi. Ndërsa kufizimet në pjesëmarrje kanë të bëjnë më shumë me vështirësitë e përjetuara nga vetë personi për t’u përfshirë në aspekte të ndryshme të jetës së përditshme. Aftësia e kufizuar nuk është vetëm një problem shëndetësor. Është një fenomen kompleks, që pasqyron ndërveprimin mes veçorive të një personi dhe shoqërisë në të cilën ai jeton. Tejkalimi i vështirësive apo kufizimeve me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara kërkon ndërhyrje për të hequr barrierat mjedisore dhe sociale.

Shembull

Shembull 1: Artani vuan nga paralizë cerebrale. Si pasojë e saj Artani ka këmbët të ngurta dhe të tendosura. Ai nuk mund të lëvizë. Kjo është diagnoza e Artanit. Ndërsa aftësia e kufizuar që ka Artani është pamundësia e tij për të lëvizur. Kjo aftësi e kufizuar mund të të tejkalohet duke bërë terapi fizike, duke përdorur mjete ndihmëse, si karrige me rrota, paterica apo të tjera dhe duke siguruar mjedise të aksesueshme.

Shembull

Shembull 2: Lindita ka disleksi të rëndë. Ajo si pasojë e saj ka vështirësi të mëdha në lexim. Sakaq, ajo ka shikim dhe dëgjim të mirë dhe ka rezultate të mira në testime. Në rastin e disleksisë, edhe pse nuk identifikohet dëmtim truri, qartësisht ka një dëmtim i cili pengon Linditën që të marrë informacionin në mëyrë të shkruar ose vizualisht, pra që bën që ajo mos të lidhë tingujt me simbolet apo gërmat. Në këtë rast, aftësia e kufizuar e Linditës është mungesa e aftësisë për të lexuar. Kjo aftësi e kufizuar mund të reduktohet nëse Lindita merr më shumë mësime leximi, mëson të përdorë librat audio, apo merr ndihmë profesionistësh të cilët identifikojnë problemin që i shkakton dëmtimi Linditës dhe përdorin teknika të ndryshme për ta ndihmuar atë që të lexojë më mirë dhe më shpejt. Linditës mund t’i jepet gjithashtu një kohë shtesë për testimet.

Të dhëna të përgjithshme

Nuk mund të përcaktohet në mënyrë të saktë numri i personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri apo në botë. Kjo për shkak se ka dallime të mëdha në mënyrat si si shtete të ndryshme përkufizojnë aftësinë e kufizuar; varet nga cilësia dhe mënyrat e mbledhjes së të dhënave; nga sa të besueshme janë burimet e tyre. Për shembull në vendet ku mungojnë shërbimet dhe ku familjet kanë frikë nga paragjykimet ekzistuese, ata nuk deklarojnë ose “fshehin” personat me aftësi të kufizuar. Kjo bën që të dhënat për aftësinë e kufizuar shpeshherë të jenë të pasakta. Shpeshherë shtetet nuk përfshijnë aftësi të caktuara të kufizuara në skemat sociale. Edhe kjo ndikon në statistikat për numrin e personave me aftësi të kufizuara.

Të dhëna të përgjithshme

Raporti i OBSH-së për aftësinë e kufizuar, 2011 është burimi më i besueshëm deri tani për aftësinë e kufizuar nga pkëpamja e të dhënave dhe statistikave që paraqet. Sipas këtij raporti ka mbi një miliard njerëz, rreth 15% e tyre popullsisë së botës, të cilët kanë një aftësi të kufizuar. Në vendet më pak të zhvilluara numri i personave me aftësi të kufizuara është më i lartë: rreth 1 në 5 persona, ose 20% të popullsisë.

Të dhëna të përgjithshme

  • 80% e personave me aftësi të kufizuara jetojnë në vendet në zhvillim.
  • Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë më pak gjasa të shkojnë në shkollë sesa fëmijët pa aftësi të kufizuara.
  • Në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, vetëm 5% – 15% e personave me aftësi të kufizuara që kanë nevojë për pajisje ndihmëse i përfitojnë ato.
  • Vetëm 20% e grave me aftësi të kufizuara në vendet me të ardhura të ulëta janë të punësuara krahasuar me 58% të meshkujve me aftësi të kufizuara.
  • Personat me aftësi të kufizuara janë në rrezik më të madh të dhunohen: deri në 4-10 herë më shumë se personat pa aftësi të kufizuara.